Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit mbledh në Tiranë ekspertë nga e gjithë bota.

Është çelur në Tiranë Kongresi i Dytë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit, një nga ngjarjet më të rëndësishme akademike në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor, që po zhvillohet me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe studiuesve nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës.

Ky kongres i organizuar nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë synon të krijojë një platformë të qëndrueshme për shkëmbimin e njohurive dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e shkencave të shëndetit.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të lartë institucionalë, mes tyre Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, si dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, të cilët theksuan rëndësinë e këtij aktiviteti për zhvillimin e kërkimit shkencor dhe përmirësimin e praktikës mjekësore në vend.

Reklame
Reklamë

Ky edicion shënon një rritje të ndjeshme të dimensionit ndërkombëtar, me 55 lektorë të huaj, duke reflektuar interesin në rritje për përfshirje në këtë platformë akademike.

Programi shkencor përfshin rreth 400 referime që trajtojnë çështje bashkëkohore në mjekësi, farmaci, stomatologji, shëndet publik dhe shkenca mjekësore teknike, duke sjellë zhvillimet më të fundit në kërkimin dhe praktikën profesionale.

Po ashtu, në kuadër të kongresit prezantohen rreth 200 postera shkencorë, të cilët krijojnë hapësira për komunikim akademik dhe nxisin bashkëpunimin, veçanërisht mes studiuesve të rinj.

Një risi e këtij edicioni është edhe organizimi i një sesioni të dedikuar për studentët, duke synuar të inkurajojë përfshirjen e tyre aktive në kërkimin shkencor dhe zhvillimin akademik.

Kongresi pritet të shërbejë si një pikë e rëndësishme referimi për avancimin e shkencave të shëndetit dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë.