Më 30 prill 2026, në ambientet e Kubit Portokalli, pranë Piramidës në Tiranë, do të zhvillohet Konferenca Shkencore “Stili i jetës dhe reduktimi i risqeve: qasje multidisiplinare në parandalimin e sëmundjeve”.

Ky aktivitet, tashmë në edicionin e tij të dytë, po konsolidohet si një platformë e rëndësishme për diskutimin e rolit që luan stili i jetesës në shëndetin individual dhe publik, si dhe për promovimin e qasjeve parandaluese në praktikën mjekësore.
Konferenca organizohet nga Revista Shkencore Mjekësore “Diagnozë” dhe do të mbledhë profesionistë nga fusha të ndryshme si mjekësia, farmacia, stomatologjia, psikologjia, toksikologjia dhe komunikimi publik, duke krijuar një hapësirë të integruar për shkëmbim njohurish dhe eksperiencash.
Programi shkencor përfshin sesione tematike dhe panele diskutimi që trajtojnë çështje aktuale si:
- ndikimi i stilit të jetesës në traumë dhe aksidente,
- shëndeti mendor dhe ndërhyrjet moderne,
- efektet e duhanpirjes në dermatologji,
- përdorimi i substancave dhe aspektet toksikologjike,
- si dhe qasjet multidisiplinare në vlerësimin dhe reduktimin e riskut, përfshirë perspektiva nga kardiologjia, stomatologjia dhe shëndeti publik.
Një komponent i rëndësishëm i konferencës janë gjithashtu diskutimet mbi rolin e medias dhe komunikimit publik në edukimin shëndetësor dhe në luftën kundër keqinformimit.
Aktiviteti do të përfshijë referime shkencore, analiza të rasteve klinike reale dhe diskutime interaktive, duke synuar jo vetëm ndarjen e njohurive, por edhe përmirësimin e vendimmarrjes praktike në fushën e shëndetit.
Konferenca është në proces akreditimi dhe kontribuon në edukimin e vazhdueshëm profesional për profesionistët e shëndetit.
Kjo konferencë sponsorizohet nga Viatris, Galaxy dhe Klinika Vera – Virhov.








