“Nuk e mbrojti lëkurën në rini, pasojat u shfaqën vite më vonë” – Dermatologia Elmijola Janushaj jep këshilla për kujdesin ndaj diellit.

Në një episod të emisionit “Diagnozë” në A2 CNN, mjekja dermatologe – venerologe Dr. Elmijola Janushaj solli në vëmendje rëndësinë e mbrojtjes së lëkurës gjatë gjithë vitit, duke theksuar se ekspozimi i pakontrolluar ndaj diellit në moshë të re mund të sjellë pasoja serioze në dekada më vonë.

E ftuar në studio, Dr. Janushaj foli për gabimet më të shpeshta që njerëzit bëjnë gjatë verës, duke përfshirë përdorimin jo korrekt të kremit mbrojtës, neglizhimin e riaplikimit të SPF-së gjatë ditës, si dhe besimin e gabuar se lëkurat më të errëta nuk kanë nevojë për mbrojtje nga dielli.

Sipas saj, melanina ofron një mbrojtje natyrale, por jo të mjaftueshme për të zëvendësuar përdorimin e SPF 30 apo 50, duke theksuar se çdo fototip i lëkurës është i ekspozuar ndaj dëmtimeve nga rrezatimi ultraviolet.

Reklame
Reklamë

“Shumë pacientë e përdorin kremin e diellit vetëm në mëngjes dhe harrojnë riaplikimin gjatë ditës, sidomos në plazh ku djersitja dhe larja e ujin e reduktojnë efektivitetin e tij,” u shpreh ajo.

Dr. Janushaj hodhi poshtë edhe mitet që qarkullojnë në rrjete sociale mbi rrezikun e kremrave të diellit, duke sqaruar se produktet dermokozmetike të testuara dermatologjikisht dhe të blera në farmaci nuk përmbajnë substanca të ndaluara dhe janë të sigurta për përdorim, përfshirë edhe tek fëmijët.

Ajo theksoi gjithashtu se ekspozimi në orët e pikut të rrezatimit diellor duhet të shmanget, ndërsa rekomandoi përdorimin e masave mbrojtëse si kapele, syzet e diellit dhe veshjet me filtra UPF.

Në intervistë u diskutua edhe rreth pasojave afatgjata të dëmtimit nga dielli, ku mjekja paralajmëroi se ekspozimi i përsëritur ndër vite mund të çojë në dëmtime të lëkurës, njolla diellore, keratoza aktinike dhe në raste më të rënda, kancer të lëkurës, përfshirë edhe melanomën.

Sipas saj, rastet e diagnostikuara në moshat e treta shpesh lidhen me neglizhencën e mbrojtjes së lëkurës në rini.

“Dëmtimi i lëkurës nga dielli grumbullohet ndër vite dhe shfaqet më vonë në jetë,” u theksua gjatë intervistës.

Dr. Janushaj këshilloi gjithashtu një dietë të pasur me antioksidantë si karrota, domatet, frutat e pyllit dhe omega-3, të cilat ndihmojnë në mbrojtjen e lëkurës dhe reduktimin e stresit oksidativ.

Emisioni “Diagnozë” vijon të sjellë çdo javë tema me rëndësi për shëndetin publik, duke informuar dhe ndërgjegjësuar qytetarët mbi kujdesin ndaj sëmundjeve dhe stilit të jetesës.

Autore dhe moderatore: Freskida Miloti
Emisioni: “Diagnozë” – A2 CNN, çdo të shtunë, në orën 18:00.