Nga Freskida Miloti
Menopauza nuk është vetëm fundi i ciklit riprodhues të gruas. Përveç ndryshimeve fizike dhe hormonale, kjo periudhë mund të shoqërohet edhe me ndryshime të rëndësishme në shëndetin mendor, të cilat shpesh nënvlerësohen ose konsiderohen gabimisht si pjesë normale e moshës.
E ftuar në emisionin “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, psikiatrja Dr. Fatbardha Myslimaj Xhani, pranë Klinikës Vera-Virhov, shpjegoi se menopauza është një proces biologjik normal, por që për shumë gra mund të shoqërohet me ankth, pagjumësi, ndryshime humori dhe vështirësi emocionale që kërkojnë vëmendje profesionale.
Jo çdo shqetësim duhet konsideruar “normal”
Sipas psikiatres, afshet e nxehta dhe ndryshimet hormonale janë vetëm një pjesë e menopauzës. Luhatjet hormonale ndikojnë edhe në neurotransmetuesit e trurit, si serotonina, dopamina dhe adrenalina, të cilët luajnë rol të rëndësishëm në ekuilibrin emocional.
“Këto ndryshime mund të shoqërohen me irritim, prag më të ulët durimi, ankth, pagjumësi dhe ndryshime humori. Kur simptomat zgjasin dhe fillojnë të ndikojnë në cilësinë e jetës, ato nuk duhen neglizhuar”, u shpreh ajo.
Kur duhet kërkuar ndihma e specialistit?
Dr. Myslimaj Xhani theksoi se gratë nuk duhet të presin derisa simptomat të bëhen të rënda.
Nëse ankthi, pagjumësia, irritimi apo trishtimi zgjasin për javë të tëra, ndikojnë në jetën familjare, profesionale dhe sociale ose shoqërohen me vetëfajësim të vazhdueshëm, është e nevojshme konsultimi me mjekun.
Ajo shpjegoi se në disa raste vetëfajësimi, izolimi social dhe humbja e interesit për aktivitetet e përditshme mund të jenë shenja të depresionit dhe nuk duhet të konsiderohen si pasoja të zakonshme të menopauzës.
Ndryshimet hormonale ndikojnë edhe në shëndetin mendor
Psikiatrja shpjegoi se gjatë perimenopauzës dhe menopauzës ndryshojnë nivelet e hormoneve, veçanërisht progesteronit dhe estrogjenit, gjë që ndikon në funksionimin e sistemit nervor.
Si pasojë, disa gra mund të përjetojnë ankth më të shtuar, irritim, pagjumësi, “overthinking”, ulje të tolerancës ndaj stresit dhe vështirësi në menaxhimin e emocioneve.
Roli i familjes është vendimtar
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua rolit të familjarëve.
Sipas Dr. Myslimaj Xhani, shpesh janë bashkëshorti, fëmijët apo kolegët ata që vënë re të parët ndryshimet në sjelljen e gruas.
Nëse një grua fillon të izolohet, nuk dëshiron më të dalë me miqtë, humbet interesin për aktivitetet që më parë i pëlqenin, flet më pak ose ndryshon dukshëm humor, këto janë sinjale që kërkojnë vëmendje dhe mbështetje.
Marrëdhënia në çift nuk duhet të dëmtohet
Psikiatrja përdori metaforën e jetës së gruas si një lule që kalon në faza të ndryshme zhvillimi.
Ajo theksoi se menopauza nuk është fundi i feminitetit, por një etapë e re e jetës që mund të përjetohet në mënyrë pozitive nëse gruaja mbështetet nga partneri dhe familja.
Komunikimi i hapur, mirëkuptimi dhe vazhdimësia e intimitetit në çift janë elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale gjatë kësaj periudhe.
Psikoterapia para medikamenteve
Një tjetër mesazh i rëndësishëm ishte se trajtimi nuk fillon domosdoshmërisht me barna.
Sipas Dr. Myslimaj Xhani, qasja duhet të jetë multidisiplinare, duke përfshirë mjekun e familjes, obstetër-gjinekologun, psikiatrin dhe psikologun.
Psikoterapia dhe psikoedukimi konsiderohen hapat e parë në ndihmën ndaj grave gjatë kësaj faze, ndërsa medikamentet përdoren vetëm kur janë të nevojshme dhe pas një vlerësimi profesional.
“Menopauza nuk është një gogol”
Në rubrikën “Mitet dhe të Vërtetat”, psikiatrja hodhi poshtë bindjen se çdo shqetësim kalon vetvetiu.
Ajo theksoi se menopauza nuk duhet të frikësojë gratë, por as të banalizohet. Informimi, mbështetja nga familja dhe konsultimi në kohë me specialistët janë çelësi për ta kaluar këtë periudhë me më shumë qetësi dhe cilësi jete.
Kabinet multidisiplinar për menopauzën
Gjatë intervistës u prezantua edhe nisma e Klinikës Vera-Virhov për ngritjen e një kabineti të dedikuar për gratë në perimenopauzë dhe menopauzë.
Ky kabinet do të funksionojë mbi bazën e bashkëpunimit të mjekëve të specialiteteve të ndryshme, me qëllim hartimin e planeve të individualizuara të trajtimit, të përshtatura sipas historisë mjekësore dhe nevojave të çdo pacienteje.
Mesazhi kryesor i intervistës ishte i qartë: menopauza është një fazë normale e jetës së gruas, por shëndeti mendor gjatë kësaj periudhe meriton po aq vëmendje sa edhe shëndeti fizik.







