Skriningu që mund të shpëtojë jetë: Dr. Teona Bushati tregon cilat kontrolle nuk duhen neglizhuar.

Nga Freskida Miloti

Kanceri mund të zhvillohet për një kohë të gjatë pa dhënë shenja të dukshme. Pikërisht për këtë arsye, kontrollet rutinë dhe programet e skriningut luajnë një rol të rëndësishëm në zbulimin e hershëm të ndryshimeve qelizore, përpara se ato të shndërrohen në sëmundje të avancuar.

E ftuar në emisionin “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, profesoresha e asociuar dhe anatomopatologia Dr. Teona Bushati foli për rëndësinë e parandalimit, kontrolleve periodike dhe shenjave që nuk duhen neglizhuar.

Reklame
Reklamë

“Golden standard i mjekësisë është parandalimi”

Sipas Dr. Bushatit, qëllimi i mjekësisë nuk duhet të jetë vetëm trajtimi i sëmundjes pasi ajo është shfaqur, por identifikimi sa më herët i ndryshimeve që mund të çojnë në një patologji.

“Golden standard i mjekësisë është parandalimi, jo kurimi dhe mjekimi”, u shpreh ajo.

Në rastin e sëmundjeve kancerogjene, skriningu synon të identifikojë ndryshimet qelizore në faza të hershme, përpara se të zhvillohet një tumor invaziv.

“Kanceri mund të zhvillohet pa simptoma”

Anatomopatologia thekson se një nga problemet kryesore është fakti që pacientët shpesh presin shfaqjen e simptomave për t’iu drejtuar mjekut.

Sipas saj, kanceri mund të zhvillohet për një kohë të gjatë pa shenja të qarta. Kur simptomat bëhen të dukshme, sëmundja mund të jetë tashmë në një stad më të avancuar.

Lodhja, rënia në peshë, ndryshimet në oreks apo çrregullimet e jashtëqitjes mund të duken si shqetësime të zakonshme dhe shpesh neglizhohen nga pacientët.

Çdo sëmundje kancerogjene fillon pa shenja, zhvillohet pa shenja, avancon pa shenja dhe kur ne kemi shenjat realisht jemi shumë vonë”, tha Dr. Bushati.

Çfarë është skriningu?

Skriningu është kontrolli mjekësor i personave që nuk kanë simptoma, me qëllim identifikimin e hershëm të një sëmundjeje ose të ndryshimeve që mund të çojnë në të.

Sipas Dr. Bushatit, procesi nis me ndërgjegjësimin e individit, por duhet të mbështetet edhe nga programe të organizuara të shëndetit publik.

Mjeku i familjes ka një rol të rëndësishëm në orientimin e pacientit, duke marrë në konsideratë moshën, historinë familjare, faktorët e riskut dhe karakteristikat individuale.

Pap-testi, mamografia dhe kontrollet e zorrës

Ndër kontrollet më të rëndësishme të përmendura nga anatomopatologia është skriningu për kancerin e qafës së mitrës përmes Pap-testit.

Sipas saj, kapja e ndryshimeve qelizore përpara zhvillimit të kancerit invaziv mund të ndryshojë ndjeshëm ecurinë e sëmundjes.

Një tjetër fushë e rëndësishme është kontrolli i zorrës së trashë. Kolonoskopia mund të evidentojë polipe të vegjël, të cilët mund të jenë pararendës të kancerit.

Heqja e tyre në këtë fazë mund të parandalojë zhvillimin e mëtejshëm të sëmundjes.

Një polip i vogël nuk jep shenja”, shpjegoi Dr. Bushati, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve edhe në mungesë të simptomave.

“Kanceri po shfaqet edhe në mosha më të reja”

Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë intervistës ishte shfaqja e sëmundjeve kancerogjene në mosha gjithnjë e më të reja.

Sipas Dr. Bushatit, ndërsa tradicionalisht sëmundjet onkologjike janë lidhur më shumë me moshat mbi 50 vjeç, në praktikën klinike po evidentohen raste edhe në dekadën e katërt, të tretë dhe, më rrallë, edhe në moshë më të re.

Ajo e lidhi këtë situatë edhe me mënyrën e jetesës, ushqyerjen dhe ekspozimin ndaj faktorëve të ndryshëm ambientalë.

“Mamografia mund të zbulojë ndryshime përpara kancerit invaziv”

Në rastin e kancerit të gjirit, mamografia mund të evidentojë ndryshime shumë të hershme, përfshirë mikrokalçifikime që mund të lidhen me procese fillestare.

Dr. Bushati shpjegoi se kanceri nuk zhvillohet brenda natës, por kalon nëpër një proces ndryshimesh qelizore dhe gjenetike që mund të zgjasë vite.

Zbulimi i këtyre ndryshimeve në kohë i jep pacientit mundësinë që trajtimi të nisë përpara se sëmundja të bëhet invazive.

Anatomopatologia vuri theksin edhe te rëndësia e ekzaminimit anatomopatologjik të materialeve të hequra gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.

Sipas saj, jo vetëm lezionet e dyshimta të lëkurës, por çdo material i hequr me ndërhyrje kirurgjikale duhet të vlerësohet në laboratorin e anatomisë patologjike.

Edhe një formacion që duket beninj mund të fshehë një patologji që nuk mund të identifikohet vetëm nga pamja klinike.

“Çdo gjë duhet verifikuar. Dyshimi klinik që ti ke, që thua ‘nuk është asgjë’, është mirë ta verifikojmë që vërtetë nuk është asgjë”, u shpreh Dr. Bushati.

“Kujdes me nishanet dhe lezionet që nuk shërohen”

Në muajt e verës, një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe lëkurës.

Sipas anatomopatologes, melanoma është ndër tumoret më të njohura të lëkurës, por përbën vetëm një pjesë të rasteve. Pjesa më e madhe e kancereve të lëkurës përbëhet nga karcinomat bazocelulare dhe spinoqelizore.

Një plagë apo lezion që nuk shërohet, një formacion që gjakoset herë pas here ose një ndryshim i ri në lëkurë duhet të vlerësohet nga dermatologu.

Veçanërisht të rëndësishme janë ndryshimet e një nishani në përmasë, ngjyrë, kufij apo pamje.

Dr. Bushati rekomandoi që njerëzit të bëjnë kontrolle periodike të lëkurës dhe të krijojnë një lloj “hartëzimi” të nishaneve dhe lezioneve, në mënyrë që ndryshimet të mund të krahasohen gjatë kontrolleve të ardhshme.

“Çdo gjë që hiqet me kirurgji duhet të çohet në anatomopatologji”

Një nga mesazhet më të forta të intervistës lidhet me materialet kirurgjikale.

Sipas Dr. Bushatit, një lezion që hiqet nga trupi nuk duhet të përfundojë thjesht në mbetje, por duhet të dërgohet për ekzaminim anatomopatologjik, në mënyrë që diagnoza të konfirmohet.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për lezionet e lëkurës, pasi një formacion që duket si një nishan i zakonshëm mund të rezultojë një patologji më serioze.

“Duhet ta menaxhojmë shëndetin në kohë”

Në fund të intervistës, Dr. Teona Bushati përcolli një mesazh për ndërgjegjësimin dhe parandalimin.

“Ne si qenie humane kemi dy gjëra shumë të rëndësishme. Na është dhuruar koha, e cila ikën dhe nuk kthehet, dhe na është dhuruar shëndeti, i cili po iku edhe ai është shumë vështirë të kthehet. Kështu që ne duhet të menaxhojmë shëndetin në kohë”, u shpreh ajo.

Mesazhi i anatomopatologes është i qartë: nuk duhet të presim shfaqjen e simptomave për t’u kujdesur për shëndetin. Kontrollet periodike, skriningu dhe vlerësimi në kohë i çdo ndryshimi të dyshimtë mund të bëjnë diferencën mes një patologjie të kapur në fazat e para dhe një sëmundjeje të avancuar.