Nga bimët mjekësore te aromoterapia, si natyra mund të bëhet pjesë e mirëqenies.

Nga Freskida Miloti

Në rubrikën “Impakt Shëndet” të emisionit “Diagnozë”, autorja dhe moderatorja Freskida Miloti mirëpriti Sonila Voglin, erboriste, konsulente të aromoterapisë dhe me formim në psikologji, e cila prej vitesh punon në ndërthurjen e natyrës, stilit të jetës dhe mirëqenies.

Pas rreth dy dekadash në Itali, Vogli është rikthyer në Shqipëri për të zhvilluar në Krutje të Lushnjës një projekt që ndërthur kultivimin e bimëve mjekësore dhe trëndafilave me aromoterapinë, meditimin, teknikat e frymëmarrjes dhe aktivitetet në natyrë.

Reklame
Reklamë

Rrugëtimi i saj profesional nisi në vitin 2004 në Firence, ku studioi erboristerinë, ndërsa më pas vijoi formimin me ajurvedën, aromoterapinë dhe psikologjinë.

“Njeriu nuk është vetëm një simptomë”

Duke folur për konceptin e shëndetit holistik, Sonila Vogli theksoi se mirëqenia nuk duhet parë vetëm përmes simptomave fizike, por në tërësinë e saj.

Sipas saj, mënyra se si mendon një person, gjendja e tij emocionale, aktiviteti fizik, mënyra se si ushqehet dhe marrëdhënia që ka me veten janë pjesë e një ekuilibri që ndikon në mirëqenien e përgjithshme.

“Trupi që është në ekuilibër është gjithmonë i shëndetshëm”, shpjegon Vogli, duke nënvizuar se ekuilibri nuk lidhet vetëm me peshën, vitaminat apo mineralet, por me trupin, mendjen dhe shpirtin si një tërësi.

“Aromoterapia dhe lidhja mes aromave dhe emocioneve”

Një pjesë e rëndësishme e punës së saj është aromoterapia dhe përdorimi i vajrave esencialë.

Vogli shpjegoi se sistemi i nuhatjes është i lidhur drejtpërdrejt me emocionet dhe se aroma të ndryshme përdoren në praktikat e saj për qëllime të ndryshme.

Livandoja lidhet me relaksimin, rozmarina me përqendrimin, ndërsa aroma e trëndafilit përdoret në praktikën e saj si pjesë e punës me mirëqenien emocionale.

Ajo theksoi gjithashtu se vajrat esencialë janë ekstrakte shumë të përqendruara të bimëve dhe për këtë arsye kërkojnë kujdes në përdorim. Disa prej tyre mund të irritojnë lëkurën apo mukozat dhe duhet të përdoren në përqendrimin e duhur.

“Nga trëndafili te një parfum i personalizuar”

Gjatë intervistës, Vogli foli edhe për krijimin e parfumeve të personalizuara përmes kombinimit të vajrave esencialë.

Në rastin e një parfumi me bazë trëndafilin, ajo sugjeroi një kombinim me temjanin si aromë bazë dhe portokallin e ëmbël si aromë të sipërme.

Ideja është që aroma të ndërtohet duke marrë parasysh karakteristikat dhe preferencat e personit.

“Aromat në shtëpi dhe në hapësirat e punës”

Vajrat esencialë mund të përdoren edhe në ambiente të ndryshme, në varësi të qëllimit.

Për hapësirat ku studiohet apo punohet, Vogli përmendi rozmarinën, ndërsa për relaksim dhe përgatitjen për gjumë livandon dhe melisën.

Ajo foli gjithashtu për përdorimin e aromave të pishës, mentes apo rigonit në ambiente, duke theksuar se mënyra e përdorimit dhe përqendrimi janë të rëndësishme.

“Meditimi dhe shkëputja nga rutina”

Meditimi, teknikat e frymëmarrjes dhe joga janë pjesë e aktiviteteve që Vogli zhvillon me klientët e saj.

Në retreat-et që organizon, pjesëmarrësit shkëputen për disa ditë nga telefoni dhe ritmi i zakonshëm i jetës, duke krijuar hapësirë për reflektim dhe kujdes ndaj vetes.

Sipas saj, një nga ndryshimet që vërehet pas këtyre eksperiencave është se njerëzit fillojnë t’i kushtojnë më shumë kohë vetes edhe pasi rikthehen në përditshmëri.

“Nuk mund të vraposh gjithmonë”

Puna me tokën dhe bimët, sipas Voglit, i ka mësuar një tjetër filozofi: çdo gjë ka kohën e vet.

Kultivimi i bimëve dhe trëndafilave kërkon durim dhe nuk mund të përshpejtohet. E njëjta filozofi, thotë ajo, vlen edhe për jetën.

“Nuk mund të vraposh gjithmonë dhe nuk mund të kesh gjithçka në momentin që ti e do”, shprehet Vogli.

Çfarë e shkakton lodhjen mendore?

Sipas eksperiencës së saj, një prej faktorëve kryesorë të lodhjes mendore dhe fizike është ritmi i vazhdueshëm i jetës.

Njerëzit, shpjegon ajo, shpesh e mbajnë veten të zënë gjatë gjithë kohës, duke shmangur ndalimin dhe përballjen me emocionet apo vështirësitë që mund të kenë.

Të krijosh hapësirë për veten, të ndalosh dhe të kuptosh atë që po ndodh brenda teje mund të jetë, sipas saj, një hap drejt rikthimit të ekuilibrit.