Lupusi

Njihuni me sëmundjen e lupusit

Prof. Dr. Argjend Tafaj

Reumatolog

 

Freskida Miloti: Çfarë janë sëmundjet reumatizmale?

Argjend Tafaj:Termi reumatizëm është një term i përgjithshëm dhe në aspektin mjekësor përfshin një grup të madh sëmundjesh.

Sëmundjet e reumatizmës janë mbi 150, janë shumë. Janë sëmundje të ndara njëra nga tjetra me secila shenjat specifike, shenjat klinike dhe laboratorike të vetat.

Janë dy grupe të mëdha të sëmundjeve të reumatizmës. Një grup i cili prek ato mosha mbi 50 vjeç,është grupi i sëmundjeve degjenerative ku përfshihen spondiliatroza, kokso-artroza, janë sëmundje të cilat lidhen me vitet që kalojnë, me konsumimin e skeletit.

Janë sëmundje të cilat nuk kanë aq rëndësi përsa i përket anës mjekësore, invaliditetit dhe sëmundshmërisë që shkaktojnë në krahasim me sëmundjet e tjera qëështë një grup tjetër shumë i rëndësishëm që quhet grupi i sëmundjeve inflamatore ose autoimune.

Ndër këto sëmundje është artriti reumatoid, lupusi, dermatopolimioziti,është një numër i madh sëmundjesh që prekin enët e gjakut që quhen vaskulite.

Freskida Miloti: Çfarë është lupusi?

Argjend Tafaj: Është një patologji, një sëmundje e cila prek kryesisht seksin femër.Raporti midis femrave dhe meshkujve në këtë patologji është 10 me 1.

10 janë femra, 1 është mashkull, domethënë në 1000 femra, 1 është e sëmurë me lupus. Në gjithë botën janë miliona gra të cilat vuajnë nga kjo sëmundje.

Është sëmundje shumë komplekse, për vetë natyrën e saj quhet sëmundje autoimune, është shembulli i patologjive autoimune ku vetë sistemi imunitar i organizmit ose vetë organizmi dëmton ose agreson vetë organizmin.

Duket pak paradoksale, por ndodh kështu. Për X arsye në një person të predispozuar gjenetikisht, jo tek të gjithë, nën ngacmimin e disa faktorëve të jashtëm, pjesë të qelizave deformohen që nuk janë njësoj si natyralet në organizëm dhe sistemi imunitar këto qeliza nuk i njeh më si të vetë organizmit, por i njeh si të huaja dhe lufton vetë sistemi imun kundër këtyre qelizave.

Kjo është pikënisja ose nxitja dhe fillimi i kësaj sëmundje.

Është predispozicion tek femrat për arsye sepse hormonet seksuale femërore luajnë rol në nxitjen, në sëmundje.

Format më të rënda janë pikërisht te gratë. Kulmin e shpeshtësisë, e shpërthimit, kjo sëmundje e ka në periudhën më aktive të jetës së gruas, në moshën 20-50 vjeç.

Këto janë rastet më të shpeshta. Nën moshën 16 vjeç dhe mbi 50 vjeç sëmundja është shumë më e rrallë dhe raportet midis meshkujve dhe femrave fillojnë e zvogëlohen.

Ka studime që tregojnë se gratë të cilat kanë përdorur kontraceptivë me përmbajtje hormonesh seksuale femërore, kanë shpeshtësi shumë më të madhe të sëmundjes.

Freskida Miloti: Gradualisht po dalim edhe tek shkaktarët!

Argjend Tafaj: Predispozicioni gjenetik është një arsye. Çrregullimet hormonale, faktori hormonal,gjithashtu ka mjaft punime që akuzojnë produktet e make-up-it, bojërat e flokëve, ngjyruesit e fytyrës, tonet, produktet kozmetike si shkaktarë të sëmundjes.

Ka të dhëna që tregojnë se punonjësit që punojnë me pluhura të silikonit kanë shpeshtësi shumë më të madhe të sëmundjes së lupusit. Disa solventë që përdoren në industri, janë disa medikamente që mund të nxisin sëmundjen.

Freskida Miloti: Ka shenja klinike sigurisht kjo sëmundje, por cilat janë?

Argjend Tafaj: Shenjat janë nga më të ndryshmet, kjo e bën shpeshherë të vështirë dhe diagnozën.

Shenjat më të përgjithshme janë një temperaturë e lartë, e sëmura mbushet me elementë në fytyrë, në trup, në krahë, ka edhe elementë karakteristikë në fytyrë që është“flutura”, që kalon mbi mollëzat e faqeve në kurrizin e hundës. Është shenjë karakteristike e lupusit.

Shenjë tjetër janë disa dëmtime që ndodhin në lëkurën e kokës.

Të sëmurat me lupus kanë rënie të flokëve, mund të kenë dëmtime të lëkurës, njolla, elementë ulçerativë, flokë të hollë, të dobët.

Një shenjë tjetër mund të jetë shfaqja e elementëve në gojë, në qiellzë, tek faqet nga brenda, mund të formohen ulçeracione të cilat janë mjaft problematike, shpeshherë i sëmuri mund të mos i dallojë, por mjeku duhet t’i shohë.

Shenjat kryesore që mund të shfaqë sëmundja: Dobësi, anoreksi, mungesë oreksi, alternime të sistemit nervor, temperaturë e vazhdueshme, gjendje ankthi, depresioni, lodhje e përgjithshme.

Dëmtimi kryesor që përcakton në fund të fundit edhe ecurinë e të sëmurit është dëmtimi i veshkave. Jep dëmtime të veshkave, shumë serioze, të cilat mund të përfundojnë dhe në dializë dhe në transplante.

Dëmtimet e tjera janë dëmtimet e zemrës, mund të kemi grumbullim uji në mushkëri, grumbullim uji në hapësirën perikardiale, grumbullim uji në bark.

Freskida Miloti: Cilat janë ekzaminimet që duhen bërë në këtë rast?

Argjend Tafaj:Vite përpara ishte shumë e vështirë diagnoza e kësaj sëmundje.

Një i sëmurë fillimisht duhet të konsultohet me mjekun e përgjithshëm.

Ka ekzaminime që bëhen, janë ekzaminime të përgjithshme këto që realizohen edhe në laboratoret tona prej shumë vitesh.

Ka edhe shumë ekzaminime specifike, imunologjike të cilët janë përcaktues, determinues për vënien e diagnozës.

Në vendin tonë ka laboratorë shumë të zhvilluar, të kualifikuar që ndihmojnë për vënien e diagnozës.

Freskida Miloti: Po mjekimi specifik dhe efikas?

Argjend Tafaj: Mjekimi është goxha i ndërlikuar, jep disa komplikacione sëmundja dhe në varësi të shfaqjeve klinike të dëmtimeve bëhet edhe mjekimi.

Për shembull, këto të sëmurë janë të predispozuar për të pasur infeksione, bëjnë infeksione të shpeshta, nga kandidoza, nga agjentët bakterialë të zakonshëm që qarkullojnë, infeksionet e lëkurës, infeksionet e traktit respirator.

Ju këshillohet këtyre të sëmurëve, meqë është sezoni i dimrit tani, ku epidemitë e virozave janë në qarkullim, duke qenë persona me imunitet të dëmtuar, të predispozuar për të bërë infeksione, ju këshillohet të shmangin qëndrimin nëpër ambiente si kinema, teatro, s’duhet të shkojnë! Ju këshillohet patjetër të vaksinohen.

Freskida Miloti: Pra të merren masat paraprake.

Argjend Tafaj: Patjetër!

Gjithashtu të sëmurët kanë një karakteristikë, fotosensibël i themi ne, nuk durojnë dot rrezatimin diellor. Nuk ju këshillohet plazhi, duhet të rrinë me mëngë të gjata, me kapele të mëdha, me çadra, të lyhen me kremra me faktorë të lartë, të mos ekspozohen në diell.

Rrezatimi ultraviolet është shumë i rrezikshëm për ta. Duke iu privuar qëndrimi në diell, duke ndenjur të mbuluar, duke qenë të sëmurë me dhimbje vazhdimisht, nuk bëjnë aktivitet fizik, të sëmurët janë të predispozuar të bëjnë osteoporozë të parakohshme.

Duhet patjetër ta parandalojnë osteoporozën. Të mjekohen për osteoporozën me kalcium, me vitaminë D e shumë e shumë medikamente të tjera.

Mjekimi bazë varet nga dëmtimet që ka i sëmuri.

Për dëmtime të rënda siç janë të sistemit hemopoetik, të gjakut, të veshkës, të sistemit nervor qendror të trurit, sistemit nervor periferik, përdoren kortizonikë me doza të larta.

Së fundmi përdoren edhe disa medikamente të tjera që quhen terapi biologjike, janë barna të linjës së fundit, shumë rezultative, të cilat kanë përmirësuar dhe kanë zgjatur mjaft jetën e të sëmurëve.

Freskida Miloti: Keni diçka të fundit për të shtuar?

Argjend Tafaj: Po. Një nga elementët që duhet të kenë parasysh këto të sëmurë është shtatzënia. Duke qenë femra nën influencën e hormoneve femërore, shtatzënia është goxha problematike.

Rëndohet shumë sëmundja, vetë shtatzënia rëndon veshkën në tre-mujorin e tretë, ënjten këmbët, ka albuminë në urinë i sëmuri, ka tension pak të lartë.

Para se këto të sëmura të planifikojnë një shtatzëni, duhet patjetër të konsultohen me mjekun specialist.

Një problem tjetër është se këto të sëmura kur kanë një lloj autoantikorpi specifik bëjnë aborte të përsëritshme.

Një zonjë, e cila ngelet shtatzënë, por aborton në mënyrë të përsëritshme, duhet patjetër të bëjë një konsultë me reumatologun sepse mund të jetë një paciente e pazbuluar me lupus.